Kompozitori i njohur shqiptar, Shpëtim Saraçi, është duke u riaftësuar dhe mjekët janë shprehur optimist për gjendjen e tij.
Lajmin e ka konfirmuar kantautori Sidrit Bejleri, i cili është mik i kompozitorit që së fundmi u prek nga një sëmundje e rëndë.
“Mirëdita! Në lidhje me shëndetin e mikut të të gjithëve, Shpëtim Saraçi: Gjendja është shumë më e mirë dhe mjekët janë shprehur shumë optimistë për rikuperimin e plotë të mjeshtrit. Faleminderit të gjithëve për lutjet dhe interesimin. Falenderimi i takon Zotit të gjithësisë”, ka shkruar Sidrit Bejleri në Facebook, transmeton Balkanweb.
Pas disa ditësh kurim në qendrën spitalore ‘Nënë Tereza”, kompozitori që është diagnostikuar me Ishemi Cerebrale u nis për kurim jashtë vendit, në Gjermani.
Në mes të gushtit, kompozitori i njohur Shpëtim Saraçi ka qenë i shtruar pranë Shërbimit të Neurologjisë, në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza".
Mjekët pohuan se Saraçi ka pësuar një ishemi dhe se gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar.
Shpëtim Saraçi është një nga kompozitorët më të njohur në vend. Kompozimet e tij mbajnë firmën e disa hiteve më të njohura pas viteve '90-të, kënduar nga emrat më të mirë të muzikës shqiptare. Vitet e fundit ai ka qenë drejtor artistik i Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar. Ndërkohë që në 2010-ën, kënga e kompozuar dhe orkestruar prej tij, "Kënga ime", e kënduar nga Aurela Gaçe, prezantoi Shqipërinë në "Eurosong".
Ai është i martuar me këngëtaren Mira Konçi dhe nga martesa e tyre kanë dy fëmijë.
Source: /Telegrafi/
0 comments:
Post a Comment